Si të stërvitesh duke pirë verë
Njihuni me Megan Vaughan, gruaja që argëton ndjekësit e saj në rrjetet sociale
Dashuria e kësaj gruaje për verën frymëzon argëtimin me serinë e "stërvitjes duke pirë verë": "Unë jam e kënaqur që kjo i bën njerëzit të qeshin"
Megan Vaughan dashuron tri gjëra kryesore në jetë: bashkëshortin e saj, stërvitjen dhe verën.
Një natë, një personazh i njohur i radios nga Clarksville, Tennessee, vendosi të ndërthurë dashurinë e saj për verën me stërvitjen. "Unë erdha në shtëpi nga palestra dhe kisha një gotë verë në dorë dhe i thashë vetes: unë ende jam me rrobat e mia të stërvitjes, betohem, nëse vendos një pipë në gotën time të verës, unë mund të bëj pompa", thotë Vaughan për "PEOPLE". Bashkëshorti i saj mendonte se e gjithë kjo ishte "kaq budallallëk", por ajo e bindi për ta filmuar atë. "Unë e postova atë në faqen e 'Facebook'-ut të stacionit tim të radios dhe ajo mori 27 milionë shikime. Kështu që unë vetëm vazhdova të bëj më shumë!", thotë ajo. Vaughan që nga ajo kohë ka punuar me shtangat e dorës të lidhura me një gotë verë, shkon për shëtitje me një shishe vere, bën pompa barku duke kthyer gllënjka me verë dhe akoma më shumë. Ajo nuk planifikon videot përpara kohe - "frymëzimi më godet rastësisht," thotë ajo, ashtu si regjistroi video, duke ngritur shtanga dhe duke pirë verë me një pipë në një shishe të lidhur me to. "Sapo kishim lëvizur në Tenesi dhe kisha çpaketuar shtangat. Dhe mendova, oh, nëse do të ngjisja këtu një shishe vere mund të bëja një video. Dhe burri im tha 'oh, sërish'", thotë ajo duke qeshur. "Por ai është në Ushtri dhe i njeh të gjitha këto lëvizje 'MacGyver' (serial aksion amerikan), kështu që më ndihmoi dhe e filmuam atë. Jam e sigurt se fqinjët tanë të rinj mendonin se ishim të krisur".
Vaughan thekson se "stërvitjet e saj duke pirë verë" janë thjesht "argëtuese". "Nuk është e vërtetë që unë bëj vetëm këtë në jetën reale", thotë ajo. "Jam shumë e shëndetshme, punoj gjashtë ditë në javë dhe më pëlqen një gotë verë gjatë darkës. Kjo është e gjitha". Qëllimi i saj i vetëm është argëtimi. "Unë jam e lumtur që kjo i bën njerëzit të qeshin," thotë Vaughan. "Kjo është gjithçka që më intereson".