HYRJE HISTORIKU
PARTNERET MAGAZINE EVENTE WINE SHOP KONTAKT EN
VILA ALEHANDRO 1941
ROEL COFFEE

Lola, gruaja e fortë që zotëron biznesin

e verërave dhe pijeve në Shqipëri

Kur e takova për herë të parë, përshtypja ishte e zakonshme! Kisha dëgjuar shpesh, në biseda mes miqsh e në tavolina me kolegë që t’i përmendej emri si një “self made woman” e suksesshme, etiketim ky që do më përforcohej në vetëm një orë e gjysmë bisedë bashkë. Ishte si ai takimi i parë, që të ngjit menjëherë, sepse Lola e Alehandros siç e njohin të gjithë, nuk priti gjatë që të futej në termat e diskutimit për kushtet e zhvillimit të një kopertine që ne prej muajsh e kërkonim, në vazhdën e atyre grave të suksesshme në Tiranë që lënë gjurmë me punën dhe produktin e tyre. Krenohemi, apo jo me të tilla modele!

 

Një moment, u tundova, me drojën se mos ndoshta Lola simpatike do të hynte në terma verërash, e histori degustimi që me gjithë modestinë, nuk më kategorizojnë në një njohëse absolute verërash. Sepse lëngu magjik, që të fut në të tjera hulli bisedash vetëm pas gllënjkës së parë është sfidë më vete, jo vetëm për ata që e kanë pjesë të punës dhe linjë biznesi, por për shumëkënd. Është filozofi jete, është shkollë e mirëfilltë! Pasioni me të cilin Lola nis të rrëfejë gjithë rrugëtimin e saj për “Alehandro Group”, me një rrjet distribucioni fantastik dhe me pika dyqanesh të shpërndara në qytetet më të mëdha të vendit, më bënë të besoja fort se kjo grua nuk ishte në majë të kësaj piramide suksesi, nga hiçi, apo se ylli i kishte ndritur duke u martuar me një pasanik, apo një trashëgimi familjare ia kishte bërë edhe më të lehtë ecurinë në biznes, nga ideja në letër tek zhvillimi dhe përsosja e një profili si pak të tjerë.

 

20 vite Alehandro, 20 vite histori suksesi! Nuk ka qenë kështu që në vitet e para, kur Erjola vetëm një adoleshente që jetonte me familjen në Itali, e pasionuar pas shijes së verës vendosi që të sfidonte Shqipërinë tonë, ku asokohe realiteti i pijes përkthehej në raki e në birra. Ajo e donte këtë gjë, luftoi, vendosi zemrën, nuk u dorëzua kurrë, madje e ka seriozisht kur thotë që për herë të parë jugun e Shqipërisë e njohu jo për pushime, por me fletëpalosjet në dorë duke shkuar nga njëri restorant në tjetrin, nga njëri bar në tjetrin për të prezantuar verërat që ajo solli vetë, e të cilat i shkarkoi në Tiranë e në jug të Shqipërisë, jo pa qëllim: Lola donte të vendoste themelet e një biznesi të ri në vendin tonë.

 

E nisi thjesht e vetëm si një agjente verërash, për të mbërritur sot në një histori suksesi, si një sipërmarrëse e njohur që zotëron biznesin e Alehandro Group dhe numëron afro shumë punonjës në kompaninë që ajo drejton. “Kishte raste, kur nga lodhja e madhe më zinte gjumi në divan”, më thotë teksa më zbulon detajet e gjithë rrugëtimit të saj të vështirë e plot sfida, që mua më ngjan me kapitujt e një romani të bukur që mezi pres t’ia lexoj faqen e fundit për të mësuar finalen e një gruaje luftarake, që suksesin e ka sot mbi shpatulla si “fitoren” që ia atribuon vetëm punës, e më pak fatit. Aroma e bisedës sonë ndihet në ajër dhe ka atë shijen tipike të verërave të ëmbla apo të asaj tangos perfekte që të bën “skllav” të skenës pa dashur t’i ikësh. Lola është si një libër, që të gjithë duhet ta lexojmë!

 

Nga vreshtat e Venetos e Piemontes, aty ku dikur një vajze e re dhe me plot ëndrra thuri ëndrrat për të ardhmen, vjen profili i një gruaje që sot zotëron asetet e një biznesi të jashtëzakonshëm verërash siç është “Alehandro Group”.

 

 

Me të njëjtën filozofi dhe me dëshirën e synimin për të sjellë më pranë Shqipërisë verërat dhe sprits më të kuotuara në botë, u themelua në hyrje të mileniumit të ri, në vitin 2001, Alehandro Group, sot një nga kompanitë elitare të sjelljes së verërave dhe pijeve alkoolike më të mira në Shqipëri.

 

Kjo sipërmarrje e bukur dhe e vështirë, arriti të bëjë diferencën në tregun shqiptar të pijeve, me anë të një menaxhimi serioz dhe të një etike të lartë pune, bazuar në respektimin maksimal të kontratave ekskluzive të mbështetura në Konventën Ndërkombëtare për Importin e Verës. Sot kompania numëron 25 agjentë shitjesh me eksperiencë si dhe pesë distributorë në rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

 

Alehandro Group, sot numëron edhe pesë Wine Shops në qytetet kryesore të vendit, Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Durrës.

 

Intervista me Erjola Brahën, është ndër ato që të lenë një shije të patjetërsueshme, njësoj si verërat e rralla që gjyshet tona dikur i ruanin në qilar, apo ato që gjenden në kantinat më antike të botës, me etjen për ta shijuar deri në fund…

 

Lola si janë këto ditë të izolimit për shkak të koronavirusit?

 

Të trishta, s’mund të jenë ndryshe, por me kurajo dhe dashurinë për jetën do ta përballojmë. Çdo trishtim e ka një fund.

 

Ti nuk je mësuar me këtë stil jete, sidomos për një grua në biznes dhe të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në projekte të reja?

 

Vërtetë, jo vetëm unë por njerëzimi mbarë nuk ka lindur të jetojë në shtetrrethim! Rrethanat ndonjëherë e bëjnë jetën një lloj lufte, ndaj njeriu ka aftësinë darviniane të përshtatet me rrethana ekstreme. Nuk kemi zgjidhje, as zgjedhje tjetër.

 

Jeni një biznesmene e njohur, një model suksesi ‘self made’, çfarë të bën kaq të arrirë në aspektin profesional?

 

Vendosmëria, përkushtimi, vullneti dhe ambicia për suksese.

 

Ndonjë klient special që ke takuar gjatë viteve të sipërmarrjes tënde, e që të ka bërë përshtypje për njohuritë dhe pasionin për verërat?

 

Klientë specialë janë të gjithë për mua, si ata që vijnë të zbulojnë me kuriozitet një botë të madhe të panjohur për ta, ashtu dhe ata që e njohin mjaft mirë verën dhe e trajtojnë me dashuri të madhe e delikatesë. Nuk dua të veçoj askënd në këtë intervistë, sepse për të gjithë klientët ushqej respekt e mirënjohje dhe prej secilit prej tyre kam marrë emocion dhe kënaqësi.

 

 

A ka vajza të apasionuara që e njohin dhe e duan verën?

 

Mendoj që pas kaq vitesh në këtë biznes, numri i vajzave dhe zonjave që shijojnë verën është rritur ndjeshëm. Është interesante të zbulosh motivin pas kësaj. Ndoshta është e lidhur me dëshirën për të qenë në shoqëri të mirë; për të zbuluar më shumë botën që ke brenda vetes, por edhe për të ndarë më hapur ndjenjat dhe emocionet me ata që ke më pranë; ndoshta dhe lidhet me ngrohtësinë në  familje.

 

Vendi që të pëlqen më shumë në botë?

 

Italia!

 

Pse Italia?

 

Italia është magjike. Kombinimi i shumë elementëve e bëjnë këtë vend më të bukurin në botë për mua. Qytetet antike, bukuritë natyrore, kuzhina e mrekullueshme, vera, stili, shpirti i italianëve, e bëjnë këtë vend të jetë shumë i dashur në zemrën time. Vetëm në një vend kaq magjik do të zgjidhja të ndërtoja një pjesë të jetës sime dhe kjo është arsyeja pse djemtë e mi rriten e shkollohen atje. Jam zemërthyer për ditët e vështira që po kalon ky vend kaq afër zemrës sime dhe zemrës së të gjithë shqiptarëve. Lutemi që e gjitha kjo të kalojë sa më parë për Italinë, Shqipërinë dhe gjithë botën!

 

Sa krenare je për faktin që punon në një mjedis ndërkombëtar? Edhe pse grua, ti ke marrë etiketat më prestigjioze! Si i bind?

 

Ndihem shumë e privilegjuar dhe e nderuar që punoj në një mjedis ndërkombëtar, sepse përpos përmbushjes profesionale, unë vlerësoj çfarë unë mësoj nga bashkëpunëtorët e mi kudo në botë. Puna që unë kam zgjedhur të bëj në jetë, më jep krahë të fluturoj përtej kufijve shqiptarë e të njoh shumë kultura, tradita e të mësoj nga më të mirët e fushës. Mendoj që çelësi qëndron te puna ime e palodhur, te komunikimi i hapur, te fryma bashkëpunuese dhe pa diskutim te energjia dhe pasioni që unë kam për të arritur yjet.

 

 

Kush të ka ndihmuar në këtë rrugëtim?

 

Së pari, dua të ndaj me ju faktin që ky rrugëtim e mori pikënisjen në Itali, në zonën e verërave atje ku unë kam jetuar një pjesë të rëndësishme të jetës sime. Atje unë u prezantova me magjinë e botës së verës. Atje u njoha me profesionistë të fushës, të cilët më pas u bënë miq të mirë dhe mbështetës të jashtëzakonshëm të ideve të mia për të ecur përpara. Në këtë rrugëtim të gjatë e sfidues, por magjik, unë jam mbështetur në parimet e mia të forta e të qëndrueshme dhe në besimin e plotë se çdo ëndërr bëhet realitet kur e ndërton jetën në shtylla të forta vlerash. Në këtë rrugëtim të gjatë unë nuk do të isha kurrë e suksesshme dhe e motivuar të bëja më të mirën, nëse nuk do kisha pranë familjen time të shtrenjtë, miqtë e ngushtë dhe stafin tim të mrekullueshëm. Rruga e jetës sime ndriçohet nga drita e miqësisë, mirësisë, dashurisë dhe nga kontributi i vyer i kujtdo që  ka ecur krahë për krahë me mua në këtë rrugëtim.

 

Si është dita jote? Me shofer, pa?

 

Dita ime nis pranë natyrës. Unë jam shumë e lidhur me çdo gjë të bukur që ofron nëna natyrë; me gjelbërimin, ajrin e pastër, cicërimat e zogjve dhe gjithashtu jam shumë e lidhur me anën mistike të  saj. Çdo ditë e jetës sime nis me një ecje në natyrë, gjatë së cilës përhumbem e tëra në magjinë e meditimit të thellë, magji të cilën ta fal vetëm 'takimi' me natyrën. Pasi mbushem plot energji të mirë mëngjesore, unë rend drejt punëve të shumta që më presin. Në varësi të programit ditor marr dhe vendimin nëse më duhet ndihma e shoferëve të kompanisë. Gjithsesi unë jam një shofere shumë e mirë dhe shumë herë e marr vetë makinën për të përmbushur objektivat që i kam vënë vetes.

 

Sa orë qëndron në zyrë?

 

Në zyrë rri aq sa është e nevojshme. Unë kam një staf tepër të kualifikuar që jep maksimumin në punën e përditshme. Djemtë dhe vajzat që i janë bashkuar kompanisë që unë drejtoj e bëjnë punën me pasion. Ne kemi një marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi të frytshëm, ku të dyja palët japin mendime, komunikojnë dhe ndërveprojnë për rezultatin më të mirë. Ne jemi një skuadër e bukur plot energji e plot pasion për punën.

 

Merresh vetë me klientët?

 

Klientëve u kushtoj rëndësi të veçantë. Përpiqem të kuptoj botën e tyre, të mësoj prej tyre dhe të ndërtoj marrëdhënie ku të dyja palët ndajnë e fitojnë eksperienca. Që të jem e sinqertë, do të doja të kisha edhe më shumë kohë në dispozicion për t'ua kushtuar klientëve, sepse mendoj që ky element i punës sime është dhe ai që është më afër zemrës dhe natyrës sime.

 

Udhëton shumë?

 

Udhëtoj shumë në fakt, sepse puna ime është e bazuar në marrëdhëniet me kantinat e verës kudo në botë e kjo më kërkon që të jem në lëvizje të vazhdueshme. Por unë udhëtoj dhe për të hapur horizontet e mia. Për t'u njohur me njerëz e kultura të ndryshme; për t'u 'arratisur' nga e përditshmja e për të 'rindezur' motorët e energjisë për sipërmarrje të reja. Unë udhëtoj shumë dhe brenda vendit tim të bukur. Përpiqem të eksploroj natyrën e mrekullueshme që ofron Shqipëria jonë dhe të mbush shpirtin tim me paqe e harmoni që vetëm natyra ta dhuron.

 

Lola si mami?

 

Jam një mam që fal shumë dashuri, kujdes, vëmendje dhe besim. Ndonëse nuk jam gjithnjë fizikisht pranë fëmijëve të mi, unë jam shumë e lidhur me të përditshmen e tyre, me shkollën, edukimin, sfidat që ata hasin, pasiguritë që kanë dhe çdo përjetim tjetër. Përpiqem t'i inkurajoj e t'i mbështes fëmijët e mi në rrugën e gjatë të rritjes e të kuptimit të vetes e të jetës në përgjithësi. Nuk dua të diktoj jetën e tyre, por dua t'i ndihmoj ata të hapin të sigurtë shtigjet e jetës së tyre, bazuar në pasionet, ëndrrat që kanë thurur dhe modelet e mira të cilave ata u referohen. Fëmijëve të mi më shumë dua t'u jap modelin e mirë të njeriut që beson se falë punës dhe përkushtimit mund të arrijë çdo ëndërr.

 

Gatuan? Si është të jesh mami në karrierë?

 

Unë gatuaj shumë mirë dhe fëmijët e mi e shijojnë pafund një drekë ose darkë ku shefe e kuzhinës është mami Lola. Të jesh mami në karrierë është një sfidë e mrekullueshme. Është si të garosh në rrugën e jetës për veten e për familjen tënde, që është dhe frymëzimi më i madh në jetën e çdo njeriu.

 

 

Si ishin ditët që kalove në familjen e madhe të Louis Roderer, Alehandro ka tashmë ekskluzivitetin e kësaj etikete apo jo?

 

Mendoj që është puna e shumë viteve, pasioni që unë përcolla gjatë takimit me këtë familje të famshme ku edhe u vendos se kujt do t’i jepej përfaqësia e kësaj vere. Dhe familja Louis Roderer vendosi që të ma japë mua ekskluzivitetin e kësaj shampanje të famshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë. Nuk ishte aspak e lehtë. Unë kisha 10 vite që këmbëngulja për përfaqësinë e kësaj shampanje dhe prisja një përgjigje, derisa momenti erdhi. Mendoj se e meritoja. Familja Louis Roderer ka një sasi të kufizuar të shampanjës, pra nuk mund të flitet për bërje biznesi dhe shifra të mëdha, por marrja e ekskluzivitetit të kësaj shampanje është prestigj, doemos. Ky është suksesi im.

 

Një këshillë të vlefshme për gratë në biznes, sot?

 

I them çdo vajze e gruaje që është sipërmarrëse, të besojë fort në vlerat dhe në forcën e shpirtit të saj. Pas çdo gruaje të suksesshme është vetja e saj dhe prandaj është shumë e rëndësishme për secilën nga ne të ushqejmë botën tonë të brendshme e të rritemi profesionalisht. Këshilla ime: besoni te vetja juaj! Secila nga ne ka shumë për t'i dhënë shoqërisë e familjes! Jini optimiste e besimplotë për një të ardhme më të mirë!

 

Çfarë të frymëzoi dhe motivoi që të përfshiheshe në biznesin e verërave?

 

Kjo dëshirë e rinisë sime të hershme, lindi pikërisht në Itali ku unë jetoja, e cila më përgjonte në çdo hap derisa u bë dominante si dashuria me shikim të parë. Atëherë në Shqipëri më së shumti pihej raki dhe birrë, por kjo nuk më stepi, përkundrazi më inkurajoi për ta sfiduar atë realitet.

 

Historia jote e ngritjes në biznes i ngjan një “libri të rrallë” që jo të gjithë e kanë lexuar, jo të gjithë janë të gatshëm të marrin përsipër sfidat që ti ke marrë ndër vite. Ti nuk di të ndalesh apo jo?

 

Me sa kuptoj, fati ka qenë me mua bashkëudhëtar besnik. Me besim dhe vizion të kthjellët, sigurisht nuk do ndalem. Ëndrrat i kam të mbivendosura, ato presin të bëhen vepra.

 

Cilat janë vështirësitë me të cilat je hasur vazhdimisht gjatë viteve për të mbërritur në stadin e biznesit të suksesshëm që ke sot?

 

Vështirësitë janë të lidhura dhe kanë ecur bashkë me zhvillimin e vendit tonë, i cili me trazimet e veta social-politike, vështirësonte ecurinë e punëve tona.

 

Lola dhe verërat, një dashuri e përjetshme apo jo?

 

Sigurisht janë dashuri e jetës time, raporti me verën është binjakëri.

 

Çfarë lloj vere të pëlqen më shumë?

 

Janë verërat elegante, kryesisht varieteti i rrushit Pinot Noir të zonës së Alto Adige (Trento) Itali, si edhe Pinot Noir i zonës së Bourgogne, verë franceze kjo. Gjithashtu, jam e apasionuar pas Bollicines (verë e gazuar), shampanjës edhe Roses që shijon shumë, sidomos tani në pranverë.

 

Lola, ti nuk je gruaja tipike delikate që ndonëse me një standard financiar mund t’ia lejojë vetes orë të tëra në qendra SPA, në shopping, në udhëtime, etj. Ti e ke jetën të lidhur fort me punën. Çfarë të pasionon pa kushte?

 

Aventura që lidhet me dashurinë për jetën.

 

Ke një filozofi që e ndjek në punën tënde?

 

Filozofia janë objektivat që i vendos vetes, qëndrushmëria për të ecur përpara dhe lart. Kjo është rruga drejt realizimit të objektivave.

 

Gjëja që do më shumë në punën tënde?

 

Marrëdhënia me njerëzit dhe klientët, si edhe harmonia.

 

Të shkon ndonjëherë në mend t'i lësh të gjitha?

 

Jo! Energjia që kam, më bën të ecë fort me të gjitha.

 

 

E konsideron veten feministe?

 

Sigurisht, në sensin e barazisë gjinore. Ndjehem e lënduar për dhunën ndaj grave. Ky demon mashkulllor duhet të kurohet.

 

Ju jeni një femër e fortë?

 

“Jam edhe luaneshë, por edhe zambak”.

 

Çfarë të lumturon pa mëdyshje?

 

Kur marr vlerësime për biznesin. Sigurisht dhe familja, fëmijët, udhëtimet.

 

Për çfarë shqetësohesh më së shumti në jetë?

 

Për të ardhmen e fëmijëve. Doktrina prindërore mbetet përherë hyjnore.

 

Projektet e reja që po presin t’i zhvillosh?

 

Projektet e reja marrin frymë gjithmonë në anën e Zotit.

 

Credits:

 

Interview: ERMIRA ISUFAJ

 

Foto: Orsola Mema

 

Design: Xhesika Berisha

 

Location: Xheko Imperial

 

 Copyright © 2023 | Cel:+355 69 20 97 447 | Email: info@alehandrogroup.al