ROEL COFFEE
HYRJE HISTORIKU
PARTNERET MAGAZINE EVENTE WINE SHOP KONTAKT EN
VILA ALEHANDRO 1941

PROF. DR. LUSH SUSAJ: DËSHMI MBI LASHTËSINË E KULTIVIMIT TË VRESHTAVE NË SHQIPËR

Gjeografi i antikitetit, Straboni (63 p.e.r – 20 e.r) pasi vizitoi Ilirinë, shkruan “I ngrohtë dhe frutdhënës është ky vend se është plot me ullishta e me vreshta të mira, përveç në disa vende të pakta, ku toka është fare e ashpër” (Geographica, libri VII, 8). “Këta të fundit (ilirët) eksportojnë verë, që e mbajnë në enë druri, të cilat i transportojnë me qerre” (Gegraphica, libri V, 8). Poeti romak Virgjili shkruan për Ilirët se “në mes të sallës, rreth tryezave zbraznin kupat për nder të Bakut, pinin me enë të arta dhe bënin flijime” (Libri III, 354-355). Heroditi (shek 5 p.e.r) shkruan se “pellazgët arritën t’i njohin emrat e perëndive kur i sollën nga Egjipti, emrin e Dionisit e mësuan, pasi mësuan emrat e perëndive të tjera, që prej kësaj kohe i kanë përdorur në flijimet e tyre për perënditë, dhe me pas, helenwt i morën këta emra nga pellazgët.” Kamur në Enciklopedinë e madhe Greke (vëll. XVIII) shkruan se “pellazgët janë shfaqur në Mesdhe që nga mijëvjeçari i 6-të p.e.r, ata njihnin dhe përdornin gjerësisht verën”. Tek libri me titull “Odiseja e Pabesueshme e një Populli Parahelen” (Mathieu Aref, fq 11) shkruhet se “pellazgët janë banorët e parë të botës ballkano-danubiane dhe Egjeut”. Pellazgët ndërtuan Pelargikonin, murin e parë rrethues, fortifikues të Athinës. Straboni theksonte se “…verërat e Istrias çmoheshin shumë. Ilirët krijonin vreshta të ulëta në veri të Sirmit duke u ndihmuar nga një perandor vendas me emrin Probi” (shek III).

 

Zhan Klod Faverial tek libri “Histori e Vjetër e Shqipërisë” fq 286 shkruan se “shumë ilirë kaluan në Itali, fise të tilla si Picentët, Daunët, Japigët, që emigruan në Itali, kultivonin më parë vreshta me famë në Iliri”.

 

Johan Wilkes

Johan Wilkes (Ilirët, 2005, fq 235) shkruan se “botës helene, ilirët i dukeshin pijetarë të mëdhenj, duke u nisur që nga garat e ardianëve, kush e kush mund të pinte më shumë dhe nga fakti se burrat e dehur përcilleshin në shtëpi nga gratë e tyre, të cilat gjithashtu merrnin pjesë në garë deri tek dhënia me tepri e mbretërve të tyre Agron dhe Gent pas pijes”. Johan Wilkes (tek libri “Ilirët” 2005, fq 235), dëshmon edhe për një fakt tjetër, kur shkruan se “helenët e mësuan nga taulantët (Taulët) një recetë të shkëlqyer për Hidromelin, e bërë nga tharmimi i mjaltit, verës dhe ujit, pije që përdorej nga ilirët e Panonisë në kohën e Atilës”. Kjo recetë është ruajtur deri vonë në traditën e krahinave veshtare të Matit dhe Kurbinit, ndërsa është përsosur dhe përdoret me mjaft sukses nga kantina “BELISARIO” në Metallica të Italisë, e cila prodhon dhe tregton në të gjithë botën verën e fermentuar me mjaltë të quajtur “Melitites”.

Djali i Skënderbeut (Gjoni II)

Në trashëgiminë gojore, një këngë e vjetër që i dedikohet ardhjes së djalit të Skënderbeut (Gjoni II) në Divjakë e Himarë, ku thuhet se e pritën 400 himariotë, ndërsa bashkëushtëtarin e tij Nikolla Dukagjinin e pritën dhe e morën banorwt e Pultit e të Mbidrinit, dëshmohet fakti se si luftëtarët mbanin me vete calikë (enë lëkure) me verë të kuqe. Në këngë thuhet: “7 ditë rrugë kalur me mbërri/ Presim mbretin me gjemi/ Kem marr bukë e ven me pi/ Nuk njoh pash për vendali/Nuk e njoh kanun e Dinit/ Qi ratë mohit, besës s’zotit/ Prej n’Himar e n’Kundavi/jemi n’tokë të Kastriotit” Ndërsa tek kënga e Gjergj Elez Alisë thuhet: “Ven 3 vjeçe tue pi/ edhe atin e ka mbajtun/ tagji n’strajcë tue i qitun/ venë me pi për ujë tue i dhanun”.

 

Johan Georg Van Hahn (1867) shkruan se “shqiptarët e sotëm janë pasardhës të banorëve të hershëm parasllavë të këtij rajoni, ata kanë bërë jetë të ngulur dhe jo shtegtare”.

 

Rregulli i trajtimit të punëtorit

Rregulli i trajtimit të punëtorit, sipas traditës shqiptare, kërkonte që punëtori i bujqësisë të konsumonte sasi të ndryshme vere për kohë të ndryshme. Historiani italian Kato (234-149 p.e.r) në veprën e tij me titull “De Agricoltura” dëshmon se: “Përgjatë korrjeve dhe vjeljes së rrushit në rajonet e Ilirisë, bujqve u jepet çdo ditë ¾ l me verë të holluar me ujë, nga vjelja e rrushit deri në fillim të dimrit bujqit mund të pinin venë sa të donin, ndërsa nga dhjetori deri në fund të marsit bujqve u jepej ¼ l venë në ditë. Ndërsa gjatë pranverës dhe verës, deri në periudhën e korrjeve dhe vjeljeve u jepej ½ l venë në ditë”. Është mjaft i njohur zakoni i vjetër shqiptar (ky zakon është ruajtur deri në shek. e XVII-XVIII), sipas të cilit burrat mbanin me vete calikë me venë dhe i këmbenin me njëri tjetrin, kur ata takoheshin në rrugë njëlloj siç ndërrojnë cigaret dhe kutitë e duhanit. Niveli i pasurisë dhe sëra shoqërore e familjeve, dëshmohej edhe me sasinë dhe cilësinë e verës që prodhonte dhe konsumonte secili. Traditën e vjetër dhe nivelin e lartë të kulturës së vreshtave dhe verës e dëshmon edhe specializimi i mirë i zonave dhe kultivarëve që është ruajtur deri në shekullin 17-të, kur sipërfaqja dhe prodhimi nga vreshtat u pakësuan së tepërmi për shkak të luftërave dhe emigrimit të lartë të popullsisë. Sipas profesor Ahmet Osjes (Vreshtaria dhe Verëtaria Shqiptare, 2004), familjet feudale vendase kanë pasur territoret e tyre ku dhe kultivonin vreshta me kultivarin e tyre karakteristik. Kështu në kalanë e Krujës dhe të Petrelës konsumohej verë e prodhuar nga kultivarët e Sheshit; në kalanë e Lezhës, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari Kallmet; në kalanë e Shkodrës, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari Vranac; në kalatë e Matit, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari Cëruja; në kalanë e Beratit, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari Puls; në kalanë e Kaninës, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari i Vloshit; në kalanë e Ohrit, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari Pamid, etj.. Kjo traditë rajonizimi, duket se po rikthehet përsëri së bashku me vëmendjen dhe rivlerësimin e rëndësisë së përdorimit të kultivarëve autoktonë dhe markave të verës së prodhuar prej tyre.

Prof. G Dalmaso (1962) ka shkruar se fiset etruske që emigruan në Itali, kanë dhënë një kontribut të madh në përhapjen e artit të përgatitjes së verës në Italinë qendrore dhe veriore.

Në Dhiatën e Vjetër është përdorur fjala “Yayain” që shqiptohet “vain” e përkthyer nga gjuhët origjinale të biblës do të thotë “lëng i shtrydhur nga rrushi”, është një fjalë që tingëllon në mënyrë të njëjtë me atë të gjuhës shqipe, “venë”.

Ndërsa tek Dhiata e Vjetër, është përdorur edhe një fjalë tjetër “Tirosh” e përkthyer në gjuhën shqipe do të thotë “dërrmim ose copëtim i rrushit”, njëlloj si në gjuhën e vjetër shqipe, tek dialekti gegë ku përdorët fjala “tershi” që do të thotë “copëtoi apo e dërrmoj rrushin”. Njihet si një praktikë e përdorur deri në shekullin XVIII-XIX, ku 4 persona të zbathur shkelmonin, tershinin, dërrmonin apo shtypnin rrushin e hedhur në një enë të madhe druri që quhej “Tinarë”, “Gavixh” etj. Ndërsa në greqishten e vjetër, vera është quajtur “OINOS”, njëlloj si në gjuhën shqipe, dialekti gegë, më konkretisht tek fisi i Labeateve, edhe sot thuhet “piva një tas me onjohe”, që do të thotë “piva një tas me verë”. Madje në muzeun e Luvrit (Francë) ruhet një tarragot e vjetër bronxi me emrin Scodrin, simbolizohet nusja ilire me një shtamë në njërin krah dhe tasin në dorën tjetër që shpërndan venë (A Luka, 2009).

Plini shkruan për verën e preferuar të romakëve që quhej “Sapa”, kjo verë thuhet se vinte nga brigjet lindore të Adriatikut, Iliria. Këtë fakt e gjejmë të shkruar edhe tek relacionet e Fran Bardhit (1637-1638) në të cilat njoftohej Vatikani se “kemi ndarë vreshtat për të prodhuar verë për Papën”, Shkruhej për verën aromatike “SAPA” që prodhohej në krahinën e SAPËS që në gjuhën popullore (sipas F. Bardhit) quhej Zadrimë e në atë kohë përbëhej nga 5 gjymtyrë (rrethe) e që shtrihej nga Kurbini deri në Pult.

 

Djalin e Skënderbeut (Gjoni II) në Divjakë e Himarë, e pritën me verë të kuqe.

Straboni, pasi vizitoi Ilirinë, shkruan “I ngrohtë dhe frutdhënës është ky vend, se është plot me ullishta e me vreshta të mira.”

 

Kjo verë aromatike, për shekuj me radhë, është tregtuar deri në Angli ku dhe është quajtur “SAVORY” që do të thotë verë me aromë. Aroma i dedikohet zierjes së mushtit deri në 1/3 e vëllimit, praktikë e përshkruar me hollësi nga Solomoni, dhe e cilësive specifike të kultivarit Kallmet me aromën dhe ëmbëlsinë e tij karakteristike, e cila është më e theksuar tek kokrrat e milcuara, veçori gjenetike që duhet vlerësuar dhe ruajtur për të mundësuar prodhimin e verërave me tipicitet dhe gjeografi specifike. Tipiciteti dhe origjina gjeografike e përcaktuar përbëjnë sekretin e suksesit të verës në treg.

Amerin (1967) shkruan se: “Shqipëria ka një vreshtari që i takon periudhës pararomake”.

Dyndjet barbare, sidomos rrënimet që u kryen në Iliri gjatë shekujve 5-7 e.r shkaktuan emigrim të madh të popullsisë, kjo solli shkatërrim të kodrave të mbjella me vreshta dhe ullishte, pakësim të prodhimit dhe tregtimit të verës nga rajonet e Ilirisë.

Katoni (324-149 p.e.r) në traktatin e tij mbi ekonominë bujqësore me titull “De re Rustica”, përmend kultivarin “Duracina”, sipas profesor Petraq Sotirit, bëhet fjalë për kultivarin “Shesh i bardhë”.

Plini (Plaku 23-79 e.r.) në veprën e tij me titull “De Natyralis Historia” dëshmon për 100 kultivarë rrushi, një pjesë e tyre citohet, se kultivohen në bregdetin Ilirik. Këta përmenden me emrat Helovle, Precia, Apiana, Basilika etj. Bazuar në përshkrimin e bërë kemi të drejtë të besojmë se bëhet fjalë për kultivarët tanë autoktonë, të cilët janë ruajtur deri në ditët tona me emrat Vlosh, Kallmet, Shesh, Pulës, Mjaltëz, Mereshnik dhe Kryqës. Plini dëshmon se si banorët e Dyrrahut lavdërojnë “Baliskun e bardhë”. bëhet fjalë për kultivarin “Shesh i Bardhë” që akoma kultivohet në kodrat e Tiranës, Durrësit dhe Kavajës.

<

 Copyright © 2023 | Cel:+355 69 20 97 447 | Email: info@alehandrogroup.al